**Kapen në pritë duke u përgatitur të kryenin një vrasje, arrestohen 5 persona në Sarandë**
Policia e Sarandës ka vënë në pranga pesë persona, duke parandaluar kështu një ngjarje të mundshme kriminale, dyshohet një vrasje.
Nga hetimet paraprake dyshohet se të arrestuarit kishin shkuar në Sarandë me qëllim kryerjen e një vrasjeje.
Arrestimi u bë pasi, sipas njoftimit zyrtar të policisë, pesë personat ishin kapur në pritë të armatosur, në një zonë pa ndriçim në fshatin Gjashtë.
Dy prej tyre u kapën në vendin e ngjarjes, pasi kishin nxjerrë armët e zjarrit nga automjeti dhe qëndronin në pritë. Tre personat e tjerë u arrestuan për moskallëzim krimi.
Policia sekuestroi gjithashtu dy armë zjarri, municion luftarak, një silenciator dhe dy automjete.
Sipas njoftimit të policisë, të arrestuarit janë shtetasit: S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë; A. K., 26 vjeç, banues në Kavajë; V. H., 20 vjeç, banues në Kavajë; V. P., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe F. B., 21 vjeç, banues në Kavajë.
Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet intensive vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, identifikimin e objektivit të synuar dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
