Kosova, e Përfaqësuar nga UBT, Rikthehet në Skenën Botërore të Robotikës në Korenë e Jugut
Kosova do të përfaqësohet edhe këtë vit në garën prestigjioze ndërkombëtare “FIRST Global Challenge”, e cila bashkon ekipet më të mira të robotikës nga mbarë bota. Përfaqësimi i saj do të bëhet nga Universiteti për Biznes dhe Teknologji (UBT), në një sfidë që bashkon të rinjtë më të talentuar në fushën e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM).
Gara e këtij viti zhvillohet në Incheon, Koreja e Jugut, nga 7 deri më 10 tetor, me temën “Igniting Innovation” (Nxitja e Inovacionit). Kjo temë sfidon ekipet pjesëmarrëse të zhvillojnë zgjidhje novatore për të adresuar një prej sfidave kryesore mjedisore të kohës: zjarret e egra dhe ndikimin e tyre në natyrë, biodiversitet dhe komunitete.
Ekipi i UBT-së, i cili do të garojë për Kosovën, përbëhet nga gjashtë nxënës të talentuar: Klea Hajrizi, Amar Rama, Melos Grainca, Jon Thaçi, Marta Çerkini dhe Ylli Osmani. Ata udhëhiqen nga mentorët Elita Hajrizi dhe Leona Hajrizi, në bashkëpunim me specialistët e Mekatronikës në UBT: Arxhend Jetullahu, Redon Rexhepi dhe Ylli Rexhaj. Ky grup po punon intensivisht në përgatitjen teknike, strategjike dhe praktike për këtë garë botërore.
Pjesëmarrja e këtij viti vjen pas një suksesi të jashtëzakonshëm të Kosovës në edicionin e kaluar të “FIRST Global Challenge”, të mbajtur në Panama. Aty, mentorja e ekipit, Elita Hajrizi, u vlerësua me çmimin “Best Mentor”, duke u shpallur mentorja më e mirë e garës në nivel botëror. Ky vlerësim nënvizon traditën e suksesit të UBT-së dhe rrit pritshmëritë për paraqitjen e ekipit kosovar në Korenë e Jugut.
“FIRST Global Challenge” përfaqëson më shumë sesa thjesht një garë robotike. Ajo është një platformë globale ku të rinjtë nga mbarë bota bashkëpunojnë, shkëmbejnë ide dhe dëshmojnë se inovacioni dhe teknologjia mund të shërbejnë si ura bashkëpunimi për zgjidhjen e sfidave globale.
Me përgatitjen profesionale, kreativitetin dhe përkushtimin e tyre, ekipi i UBT-së synon të prezantojë Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare, duke promovuar potencialin e të rinjve kosovarë në fushën e robotikës, inovacionit dhe teknologjisë.
UBT vazhdon të jetë një institucion udhëheqës në zhvillimin e talenteve të reja në fushat STEM, duke u ofruar nxënësve dhe studentëve të Kosovës mundësi për të qenë pjesë e garave dhe iniciativave më prestigjioze ndërkombëtare.
