Koalicioni VLEN ka akuzuar Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se po pengon miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke pretenduar se BDI-ja i shpërndante vendet e punës sikur të ishin dhuratë personale nga Ali Ahmeti dhe se Marrëveshjen e Ohrit e shfrytëzon për interesa të ngushta partiake.
Në një reagim publik, VLEN vlerëson se BDI-ja, si pjesë e qeverisjes për 22 vjet me ministra dhe deputetë, ka pasur mundësinë ta miratojë këtë ligj, por nuk e ka shfrytëzuar.
“Pa ligj, vendet e punës ndaheshin sipas interesave partiake, ndërsa përfaqësimi i drejtë nuk u garantua si e drejtë e mbrojtur me ligj,” thuhet në deklaratën e VLEN.
VLEN pretendon se tani, kur Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është në procedurë, BDI-ja po përpiqet ta bllokojë, duke përdorur mekanizmin e Badenterit si instrument për të penguar çdo zgjidhje që, siç shprehen, “nuk mban vulën e saj”.
Sipas koalicionit, BDI-ja nuk është e interesuar për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, por synon të pengojë suksesin politik të VLEN-it.
“Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e BDI-së apo e Ali Ahmetit. Ajo është rezultat i sakrificës së një populli të tërë. Përfaqësimi i drejtë nuk është lëmoshë partiake, por e drejtë e qytetarëve dhe detyrim i shtetit,” citohet më tej në reagim.
Në përfundim, VLEN-i kërkon miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pa, siç thekson, “shantazhe dhe bllokada”, duke e akuzuar BDI-në se pas 22 vitesh në pushtet jo vetëm që nuk e miratoi këtë ligj, por tani po përpiqet ta pengojë atë.
