Një imitues i Tom Cruise tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në një ndeshje të San Francisco Giants, pasi u shfaq në fushë për të hedhur topin e parë, i veshur si personazhi Pete “Maverick” Mitchell nga filmi ikonik “Top Gun”.

Paraqitja e tij u organizua në kuadër të 40-vjetorit të filmit. Megjithatë, ngjashmëria e jashtëzakonshme me yllin e Hollivudit i bëri shumë tifozë të besonin menjëherë se kishin përballë aktorin e vërtetë.

“A është me të vërtetë Tom Cruise?”, pyeti një tifoz, ndërsa një tjetër theksoi në Instagram se imituesi kishte kopjuar në mënyrë të përsosur pamjen, të qeshurën dhe buzëqeshjen karakteristike të aktorit.

Një tjetër komentues shprehu habinë: “Ky burrë i ngjan më shumë Tom Cruise sesa vetë Tom Cruise… Mendova se ishte inteligjencë artificiale (IA)”. Një tjetër shtoi i çorientuar: “Është imitues apo IA? Nuk po e dalloj dot më”.

Imituesi në fjalë është Jerome LeBlanc, i njohur me pseudonimin “Tom Cruise i Kalifornisë”. Ai ka rrëfyer më parë se e zbuloi rastësisht mundësinë për ta kthyer ngjashmërinë me protagonistin e filmave “Risky Business” dhe “Top Gun” në një karrierë profesionale.

“Kur u zhvendosa nga Montreali në Los Anxhelos, njerëzit vazhdimisht më thoshin se i ngjaja Tom Cruise. Kështu, vesha uniformën e aviatorit nga ‘Top Gun’ dhe provova të bëja performanca rrugore. Për habinë time, rezultati ishte i jashtëzakonshëm. Fitoja më shumë të ardhura sesa nga puna ime si barist”, tha LeBlanc në një intervistë për Cockpit USA.

Ai ka sqaruar se njerëzit zakonisht nuk e ngatërrojnë realisht me Tom Cruise, edhe për shkak të diferencës pothuajse 30-vjeçare në moshë. Megjithatë, LeBlanc thekson se njerëzit shpesh rrotullohen për ta parë sërish dhe i afrohen për t’i thënë sa shumë i përngjan yllit të kinemasë.

Sot, imituesi ka krijuar gjithashtu një prani të fortë në mediat sociale, sidomos në TikTok, ku numëron mbi 770 mijë ndjekës.