Diplomacia dhe ekonomia duhet të ecin bashkë, ndërsa ambasadat e Republikës së Kosovës kanë një rol të rëndësishëm jo vetëm në përfaqësimin e vendit tonë, por edhe në krijimin e urave të reja mes bizneseve kosovare, investitorëve, partnerëve dhe tregjeve ndërkombëtare.
Në kuadër të Konferencës IX të Ambasadorëve “Kosova në një botë në ndryshim: Siguri, Partneritet dhe Zhvillim”, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, u takua me ambasadorët e Republikës së Kosovës në botë.
Gjatë takimit, ministrja Kusari-Lila prezantoi punën e Ministrisë në mbështetje të bizneseve vendore për rritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së prodhimit, si dhe për përmirësimin e kushteve për investitorët e huaj. Një pjesë e diskutimit iu kushtua rolit të përfaqësive diplomatike në hapjen e tregjeve të reja për bizneset kosovare dhe promovimin e Kosovës si destinacion për investime.
Duke u ndalur te zhvillimi i ekonomisë së Kosovës, në takim u vlerësua se forcimi i bashkëpunimit ndërmjet MINTI-t, MPJD-së, përfaqësive diplomatike dhe sektorit privat është i rëndësishëm për rritjen e eksporteve, tërheqjen e investimeve të reja dhe adresimin e deficitit tregtar me të cilin përballet vendi.
Pas takimit, në kuadër të sesionit Business to Ambassador (B2A), ambasadorët zhvilluan takime me përfaqësues të bizneseve kosovare nga sektorë të ndryshëm, përfshirë teknologjinë e informacionit, industrinë e drurit dhe prodhimin, agro-përpunimin, industritë kreative dhe filmin, si dhe turizmin.
Këto takime synuan krijimin e lidhjeve të reja, shkëmbimin e informacionit dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve kosovare dhe përfaqësive diplomatike, me qëllim që mundësitë e reja për eksport dhe investime të kthehen në rezultate konkrete.
Ministrja Kusari-Lila theksoi se tani është koha që diskutimet dhe bashkëpunimi ndërinstitucional të përkthehen në iniciativa konkrete që do të kontribuojnë në përshpejtimin e transformimit të ekonomisë së Kosovës.
