**Debat i ashpër në Kuvend: Mustafa dhe Kërçeli përplasen për çështjen e energjisë**

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, kanë zhvilluar një debat të ashpër në Kuvendin e Kosovës në lidhje me importin e energjisë elektrike, prodhimin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e Qeverisë për situatën në sektorin energjetik.

Mustafa theksoi se Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë për rritjen e importit, duke argumentuar se KEK-u, si ndërmarrje publike, nuk po arrin të përmbushë kapacitetet e pritshme të prodhimit.

“Zoti Kërçeli thotë se KEDS-i nuk është pronë e qeverisë, por KEK-u është, KEK-u është pronë e qeverisë. Atëherë, pse po rritet nevoja për import? Po rritet, sepse KEK-u nuk po prodhon aq sa duhet të prodhojë dhe diferencën e kompenson me import. Këtu shtrohet pyetja: Pse po dështon KEK-u? Dhe këtu ju nuk mund t’i shmangeni përgjegjësisë, nuk mund të thirreni në zhvillimin e tendencave të jashtme kur flasim për kapacitetet ekzistuese të KEK-ut. Ku janë investimet tuaja? A i keni marrë rezultatet e atyre investimeve? A po prodhoni sa duhet, madje edhe më pak sesa që është prodhuar shumë vjet më parë? Ku janë ato investimet tuaja? Pse po dështojnë blloqet njëri pas tjetrit pas remonteve? E pyeta edhe ministren, por nuk u përgjigj. Tre blloqe, siç e theksova, kanë ndalesa të paplanifikuara, njëri pas tjetrit, pas remonteve të kryera. Shtrohet pyetja: Për çfarë qëllimi po bëhen ato remonte? Çfarë kuptimi ka riparimi, kur blloku dështon menjëherë pas tij? Edhe gjatë kësaj periudhe kur blloku dështon pas remontit, KEDS-i dhe qytetarët prapë po u drejtohen tregtarëve të energjisë, të cilët kanë lulëzuar gjatë qeverisjes suaj. Prandaj, mos u mbështetni, mos i shmangni përgjegjësisë për sa i përket KEDS-it. Domethënë, zoti Kërçeli, keni ardhur në qeveri me parullën ‘nacionalizëm i KEK-ut’, por në gjashtë vjet qeverisje, këtë e dëgjoj për herë të parë prej jush. Kush po ju ndalon? A i keni votat e nevojshme? Nisni procedurat, silleni në Kuvend! A keni ardhur për të qeverisur? Për ‘nacionalizëm të KEK-ut’ po flas unë tani, sot e dëgjova për herë të parë prej jush. Vazhdoni, sillni në Kuvend çfarëdolloj propozimi, dhe ne do t’ju japim përgjigje,” tha Mustafa.

Në kundërpërgjigje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, theksoi se edhe kur KEK-u prodhon energji elektrike në kapacitetet e tij maksimale, Kosova vazhdon të ketë nevojë për import.

“Koleg i nderuar Mustafa, si ekonomist unë pres që ju e dini se edhe kur KEK-u prodhon rrymë në të gjitha kapacitetet që ka, Kosova importon rrymë. Nuk po bëjmë debat me inat, por debat me të vërteta. Le të zhvillojmë një debat të bazuar në të vërteta, të cilat, domethënë, regjistrohen në procesverbalin e Parlamentit. Ju po u thoni qytetarëve: ‘Ka rënë blloku dhe duhet të importojmë!’ Ju e dini që edhe kur KEK-u prodhon, duhet të importojmë,” tha Kërçeli.

Ndërkaq, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Ymeri, në replikë ndaj Kërçelit, përmendi shitjen e KEDS-it dhe ironizoi me ndryshimet e tij politike.

“Nuk jam shumë e sigurt, në kohën kur u shit KEDS-i, a ishit edhe ju në atë fotografi me ish-presidentin Hashim Thaçi, sepse dihet që i keni ndryshuar liderët sipas interesave politike, ndërsa kjo nuk vlen për të tjerët,” theksoi Ymeri.