Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq, ka zhvilluar një bisedë me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutaş, të cilën e ka cilësuar si “bisedën më të keqe” të zhvilluar ndonjëherë mes tyre.
Vuçiq i bëri këto deklarata pasi u pyet nëse kishte komunikuar me Mojsiloviqin pas takimit të tij me komandantin e KFOR-it. Ai kishte njoftuar të hënën se gjenerali Mojsiloviq do të diskutonte me Ulutaşin pikërisht në lidhje me vendimin e KFOR-it për të reduktuar praninë e përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Duke folur për përmbajtjen e bisedës, Vuçiq tha se komandanti i KFOR-it i kishte thënë Mojsiloviqit se Policia e Kosovës do të bashkëpunonte me KFOR-in.
“Mojsiloviqi ka biseduar me njerëzit e KFOR-it, me komandantin Ulutaş, i cili tha: ‘Nuk ka problem, Policia e ashtuquajtur e Kosovës do të punojë së bashku me ne…’”, citoi Vuçiq.
Ai shtoi se për Serbinë, kjo qasje tashmë tregon qartë “me kë ka të bëjë”.
“Vërtet, nuk ka problem? Mirë, tani e kuptojmë pse bëtë gjithçka që bëtë në vitin 1999. E kuptojmë gjithçka dhe nuk ka ndonjë filozofi të madhe, gjithçka është në rregull”, u shpreh me ironi presidenti serb.
Sipas Vuçiqit, pas kësaj bisede, Serbia tashmë e di “me kë ka të bëjë”, duke e cilësuar takimin mes Mojsiloviqit dhe komandantit të KFOR-it si jashtëzakonisht të pakëndshëm.
“Thjesht ndaloni së pretenduari se jeni aty për ndonjë lloj dialogu apo për çfarëdo tjetër, sepse nuk jeni në favor të dialogut”, shtoi presidenti serb, sipas raportimeve të RTRS.
Vuçiq komentoi edhe reagimet e Komisionit Evropian lidhur me deklaratat e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Ai theksoi se “gjithçka u bë që ne ta përmbushnim [detyrimin tonë], që ata ta përmbushnin atë obligim”. Sipas tij, pala tjetër nuk e përmbushi dhe “as që u shkon mendja ta përmbushin”.
Vuçiq përfundoi me akuzën se “[BE-ja dhe të tjerët] ju u jepni gjithçka tjetër [Kosovës] vetëm sepse dëshironi ta largoni dhe dëboni Serbinë nga Kosova”.
