Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se në orën 11:00 do të jenë të pranishëm në Kuvend, duke theksuar se do të përdorin çdo mjet institucional dhe juridik për të rikthyer rendin kushtetues. Ajo u shpreh se as kryeministri Albin Kurti e as Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk mund ta marrin peng Republikën dhe të ndryshojnë Kushtetutën sipas agjendës së tyre. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Deliu-Kodra theksoi se nuk do të rrinë duarkryq. Ajo shtoi se qëllimi i kundërshtarëve politikë është i qartë: ose ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme në një datë që u konvenon atyre, ose ta uzurpojnë edhe institucionin e Presidentit. Deputetja Deliu-Kodra përfundoi duke theksuar se Kosova nuk është pronë e askujt dhe se Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas interesave politike, si dhe nuk duhet të merret peng.