**Shpërthimi i Etnës bllokon mijëra turistë në Sicili**

Mijëra turistë kanë mbetur të bllokuar në Sicili, Itali, si pasojë e shpërthimit të fundit të vullkanit Etna, i cili ka shkaktuar kaos në trafikun ajror dhe ka kthyer pushimet e tyre në një sfidë të vërtetë.

Etna, vullkani më aktiv i Evropës dhe një atraksion turistik i njohur, po shkakton vështirësi të mëdha. Që prej ditës së premte, kur nisi shpërthimi aktual, mijëra pushues janë gjetur të izoluar në ishullin mesdhetar.

Retë e dendura të hirit vullkanik në qiell kanë çuar në ndërprerjen e plotë të trafikut ajror në aeroportin e Katanias. Pezullimi pritet të zgjasë deri të mërkurën në orën 11:00. Edhe ditët parardhëse, fluturimet janë operuar me shumë vështirësi. Më shumë se 200 fluturime janë riorientuar ose anuluar plotësisht, sipas raportimeve të DW.

Kjo situatë e ka kthyer udhëtimin e kthimit në shtëpi në një makth për shumë pushues. Në aeroportin e Katanias, qytet me rreth 300 mijë banorë dhe i pozicionuar në rrëzë të Etnës, janë shënuar skena kaotike. Disa familje madje janë detyruar të kalojnë natën në terminal. Për më tepër, fluturimet nga aeroportet alternative dhe trenat për t’u larguar nga ishulli janë tejmbushur. Një gazetare e agjencisë gjermane të lajmeve dpa dëshmoi se një fluturim normalisht dy orë e gjysmë nga Katania në Berlin, iu kthye në një udhëtim dy ditë e gjysmë.

Për të pestën ditë radhazi, Etna vazhdon të nxjerrë sasi të mëdha hiri dhe llave. Sipas Institutit Italian të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), rrjedha të dendura llave po dalin nga dy kratere në lartësitë 2360 dhe 2750 metra. Gjatë natës së fundit, një krater i ri u hap në një lartësi prej rreth 1900 metrash. Shpërthime të tilla nga vullkani, i cili ngrihet mbi 3300 metra, nuk janë të pazakonta, prandaj Etna monitorohet me kujdes të veçantë prej dekadash.

Autoritetet zbatojnë standarde të larta sigurie për trafikun ajror, duke vendosur mbyllje të hapësirës ajrore në varësi të drejtimit të erës dhe përqendrimit të hirit, shpesh me njoftim të shkurtër. Aktualisht, për rajonin e Katanias është në fuqi niveli më i lartë i alarmit, ai i kuq, që sinjalizon një shpërthim me emetim të konsiderueshëm hiri si të afërt, ose tashmë të nisur. Mëngjesin e së martës, vetëm një avion arriti të ngrihej për një fluturim të brendshëm, ndërsa të gjitha uljet u pezulluan deri në orën 19:00.