Senatorja amerikane Joni Ernst ka përfunduar vizitën e saj në Kosovë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë njoftoi se takimet e saj theksuan rëndësinë e marrëdhënieve konstruktive mes dy vendeve.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka përmbledhur vizitën e senatores Ernst, duke theksuar se ajo shërbeu për të fituar një kuptim më të thellë të zhvillimeve aktuale në vend.

Gjatë qëndrimit të saj, senatorja Ernst zhvilloi takime me krerët e institucioneve të Kosovës. Ajo gjithashtu përshëndeti trupat nga Iowa në Kampin Film City, vizitoi Kampin Bondsteel dhe u takua me personelin e Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it dhe Grupit të Mbështetjes së Zonës – Ballkan.

Ambasada theksoi gjithashtu se senatores Ernst iu dha Medalja Presidenciale e Meritave.

Sipas Ambasadës, takimet ishin “produktive” dhe i ofruan asaj “një pasqyrë të vlefshme dhe të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet aktuale në Kosovë”. Ambasada shtoi se këto takime “nxorën në pah rëndësinë e një marrëdhënieje konstruktive mes SHBA-së dhe Kosovës.”