**PDK kritikon mbylljen e Kuvendit, Çitaku: Republika po mbahet peng nga Kurti**
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka publikuar një fotografi nga ambientet e Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e mban peng Republikën. Kjo deklaratë erdhi gjatë një konference për media të mbajtur nga PDK, e cila vijon punimet në Kuvend, pas njoftimit për mbylljen e dyerve për deputetët.
Çitaku theksoi se dyert e Kuvendit ishin mbyllur për deputetët e zgjedhur nga qytetarët, duke e cilësuar këtë veprim si një shenjë të mbajtjes peng të institucionit më të lartë legjislativ. Në të njëjtën kohë, PDK-ja i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si partisë me numrin më të madh të ulëseve në Kuvend, që seanca konstituive të vazhdojë gjatë ditës së sotme, duke sugjeruar orën 11:00.
“Dyert e Kuvendit të mbyllura për deputetët e zgjedhur nga qytetarët – fotografia e një Republike që po mbahet peng nga Albin Kurti. 16 gusht 2026!”, ka shkruar Çitaku në postimin e saj.
