Prokuroria Themelore në Pejë, përmes Departamentit të Krimeve të Rënda, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Vezir Haziraj. Ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kërkesa për paraburgim vjen pas hetimeve lidhur me një incident të ndodhur më 7 gusht 2026, rreth orës 20:40, në fshatin Orroberd të Komunës së Istogut. Sipas dyshimeve të prokurorisë, pas një mosmarrëveshjeje dhe një përleshjeje fizike mes Hazirajt dhe të dëmtuarit D.H., i dyshuari ka nxjerrë një pushkë gjuetie të modifikuar dhe ka qëlluar drejt D.H., duke e goditur në kofshën e majtë dhe duke i shkaktuar lëndime trupore të rrezikshme për jetën. Pas këtij incidenti, Haziraj dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes.
Më tej, ekziston dyshimi se Haziraj ka mbajtur në pronësi dhe posedim të paautorizuar armë, përfshirë pushkën e gjuetisë së modifikuar me të cilën dyshohet se është kryer sulmi, si dhe një armë të shkurtër (revole). Për këto armë, ai nuk posedonte leje përkatëse nga organet kompetente, duke shkelur legjislacionin në fuqi për armët.
Gjithashtu, Haziraj dyshohet se më 8 gusht 2026, rreth orës 20:53, ka bërë një publikim me përmbajtje kërcënuese në rrjetet sociale ndaj zyrtarëve, duke i kanosur seriozisht me dëmtim përmes përdorimit të armëve të zjarrit dhe mjeteve shpërthyese.
Prokuroria Themelore në Pejë ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore dhe ia ka paraqitur Gjykatës kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit. Ndërkohë, policia ka bërë të ditur se arrestimi i Vezir Hazirajt erdhi pasi ai u dorëzua, duke kuptuar se s’mund t’i shmangej arrestimit, pas një operacioni të bashkërenduar me Njësinë Speciale dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI).
