Ukraina ka ndërmarrë një sulm masiv me qindra dronë të dielën, duke goditur disa rajone në Rusi. Ky vlerësohet si një prej sulmeve më të mëdha të Ukrainës ndaj Moskës që nga fillimi i luftës në shkurt 2022.

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se kishte shkatërruar 822 dronë ukrainas gjatë natës. Ndërkohë, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, theksoi se rreth 600 dronë ishin zbuluar drejt kryeqytetit rus. Sobyanin po ashtu konfirmoi se një sulm ukrainas kishte shkaktuar një zjarr në një magazinë të gjigantit rus të shitjeve me pakicë Wildberries në qytetin e Podolskut, ku pamje të shpërndara nga mediat ruse tregonin flakë masive dhe tym të dendur.

Njëkohësisht, sulme me dronë goditën tre qytete në rajonin jugperëndimor rus të Rostovit, ku Guvernatori lokal, Yury Slyusar, raportoi pesë viktima dhe disa të plagosur. Sulmi, i kryer me mbi 150 mjete ajrore pa pilot, shkaktoi dëme në disa shtëpi, një stacion hekurudhor, si dhe një zjarr pyjor.

Ukraina deklaron se magazinat e goditura shfrytëzohen si “objekte logjistike” për pajisje ushtarake, një pretendim që Kremlini e mohon. Këto sulme vijnë në një kohë kur intensifikimi i përleshjeve reciproke mes Ukrainës dhe Rusisë është vënë re gjatë javëve të fundit.

Ndërkohë, gjatë natës pati sulme edhe në Ukrainë, ku u goditën disa objekte. Sipas presidentit Volodymyr Zelensky, Rusia po shënjestron infrastrukturën civile me raketa balistike.