Shuhet në moshën 84-vjeçare Zenun Brovina, figurë emblematike e futbollit kosovar

Ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare Zenun Brovina, një prej figurave më të shquara të futbollit të Kosovës.

Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e konfirmoi presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili shprehu ngushëllime për familjen Brovina dhe mbarë komunitetin e futbollit.

Brovina konsiderohej një prej futbollistëve më të spikatur të brezit të tij. Karrierën e nisi me ekipin e Vëllaznimit të Gjakovës, duke luajtur më pas edhe për Partizanin e Beogradit dhe Prishtinën.

Ai ishte gjithashtu kapiten i Përfaqësueses së Kosovës.

FFK-ja e cilësoi Brovinën si një figurë emblematike të futbollit kosovar, duke nënvizuar kontributin e tij të madh dhe gjurmën e thellë që la në klubet ku luajti dhe në përfaqësimin e Kosovës.

Ndarja nga jeta e Brovinës përkon në të njëjtën ditë me humbjen e një tjetër legjende të futbollit kosovar, Erdogan Celinës.

Në mesazhin e tij, Ademi shkroi: “Sot futbolli ynë po i përcjell për në përjetësi dy nga futbollistët e tij më të çmuar, Zenun Brovinën dhe Erdogan Celinën. Lamtumirë Zenun Brovina! I përjetshëm qoftë kujtimi për Ju!”