Ndërron jetë Zenun Brovina, ikona e futbollit kosovar
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) dhe presidenti i saj, Agim Ademi, kanë shprehur ngushëllime të thella për ndarjen nga jeta të Zenun Brovinës, një personaliteti të shquar të futbollit kosovar, i cili ndërroi jetë në moshën 84-vjeçare.
Brovina, një emër i njohur për kontributin e tij të vyer në fushën e blertë, nisi karrierën te Vëllaznimi i Gjakovës, ndërsa më pas luajti për klube të rëndësishme si Partizani i Beogradit dhe Prishtina. Ai ishte gjithashtu kapiten i Kombëtares së Kosovës, duke lënë pas një gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit.
Në mesazhin e tij, presidenti Ademi e cilësoi Brovinën si një prej figurave emblematike të futbollit kosovar, duke theksuar se vdekja e tij, në të njëjtën ditë me atë të Erdogan Celinës, përbën një humbje të dyfishtë dhe të madhe për sportin tonë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Zenun Brovinës, njërit prej emrave më të mëdhenj dhe figurave emblematike të futbollit të Kosovës,” citohet të ketë thënë Ademi. Ai shtoi se Brovina ishte një futbollist i shquar i brezit të tij dhe një personalitet i respektuar për karakterin, modestinë dhe përkushtimin e tij shembullor.
“Me Zenun Brovinën, futbolli i Kosovës humbi një legjendë. Megjithatë, trashëgimia e tij, kujtimet nga ndeshjet, fanellat që veshi, kontributi dhe shembulli që la pas, do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë sonë sportive,” deklaroi presidenti i FFK-së.
Ademi shprehu ngushëllimet e tij dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së për familjen Brovina, të afërmit, miqtë dhe gjithë komunitetin e futbollit kosovar.
“Sot futbolli ynë po i përcjell për në amshim dy nga futbollistët e tij më të çmuar, Zenun Brovinën dhe Erdogan Celinën. Lamtumirë Zenun Brovina! I përjetshëm qoftë kujtimi për Ju!” përfundoi mesazhi i FFK-së.
