Talenti shqiptar, Adri Mehmeti ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar se cilën kombëtare do ta përfaqësojë në të ardhmen.
Mesfushori 17-vjeçar i Red Bull New York ka të drejtë të luajë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërinë, ndërsa më herët ka përfaqësuar të dyja shtetet në nivelin U15, shkruan Indeksonline
I pyetur nëse mezi pret të përfaqësojë ekipin e parë të SHBA-së, Mehmeti nuk dha një përgjigje definitive dhe bëri të qartë se aktualisht është i fokusuar te zhvillimi i tij në nivel klubesh.
“Jam ende i hapur për çdo gjë. Sigurisht, të qenit në ato biseda është shumë mirë, por unë jam këtu tani. Jam i përqendruar këtu, sepse këtu vjen i gjithë zhvillimi. Pastaj përfundimisht hyn në lojë ekipi kombëtar”, deklaroi Mehmeti.
Ai shtoi se dëshiron të vazhdojë të punojë fort dhe të përmirësohet në mënyrë që të jetë versioni më i mirë i vetes në çdo ndeshje.
Mehmeti po zhvillon sezonin e tij debutues në MLS, ku ka regjistruar 18 paraqitje. Ai ka kompletuar 87 për qind të pasimeve, ndërsa ka shënuar një gol dhe ka dhuruar pesë asistime./Indeksonline/
