Arrestohet në Rinas një 32-vjeçar i kërkuar ndërkombëtarisht nga Kosova për trafik droge

Një 32-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës për veprën penale të trafikut të narkotikëve, është arrestuar në Rinas me qëllim ekstradimin e tij.

Policia e Shtetit bëri me dije se arrestimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Wanted”, i cili synon kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, lokalizuan dhe arrestuan në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” (Rinas) shtetasin A. Sh., 32 vjeç, banues në Kukës.

Sipas policisë, ndaj tij Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar një urdhër-arrest për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.

Gjatë ndalimit, 32-vjeçari dyshohet se është prezantuar me një identitet të rremë, në përpjekje për të shmangur identifikimin dhe arrestimin.

Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet kosovare, do të ndjekë procedurat ligjore për ekstradimin e tij në Kosovë.