UBT-ja, institucioni i parë në Kosovë me njohje cilësore evropiane nga AESOP

UBT-ja është bërë institucioni i parë në Kosovë që merr njohje cilësore evropiane nga AESOP (Association of European Schools of Planning), organizata kryesore evropiane që vlerëson dhe promovon standardet e larta në edukimin dhe kërkimin në planifikimin hapësinor dhe urban.

Ky sukses vjen si rezultat i një rrugëtimi 20-vjeçar të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT. Gjatë këtyre dy dekadave, fakulteti është zhvilluar në shkollën më të madhe të arkitekturës në vend, duke formuar breza të rinj arkitektësh dhe profesionistësh të planifikimit hapësinor.

Në mënyrë të veçantë, programi Master në Planifikim Urban dhe Zhvillim të Qëndrueshëm u vlerësua me këtë njohje prestigjioze nga AESOP, duke shënuar kështu një arritje historike për UBT-në dhe arsimin e lartë në Kosovë.

Ndër komponentët kyç të vlerësimit ishin konteksti global i temave të trajtuara nga programi, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Kjo e fundit u mundëson studentëve të shkëmbejnë përvoja dhe të marrin njohuri nga universitetet partnere jashtë vendit.

Procesi i detajuar i vlerësimit, i kryer nga “Excellence in Education Board” e AESOP, analizon programet pjesëmarrëse në aspekte si pedagogjia, përmbajtja akademike, praktikat profesionale dhe ndikimi i tyre në zhvillimin e qëndrueshëm urban dhe rajonal.