Milan Radojeviq, kryetari i Mitrovicës Veriore, ka reaguar ndaj njoftimeve për hapjen e urës së Ibrit, duke vlerësuar se KFOR-i e ka marrë këtë vendim, “me sa duket, vetëm bazuar në raportin e Policisë së Kosovës”.

Ai deklaroi se, sipas tij, raportet e Policisë së Kosovës nuk përmendin incidente me motive etnike. Më tej, ai theksoi se ura do t’i dorëzohet pikërisht asaj policie, të cilën e akuzoi se “ndihmon në prishjen e shtëpizave në liqenin e Gazivodës, kontrollon shtëpitë serbe çdo ditë dhe rrah serbët, siç është rasti me Nenad Rashkoviqin”.

“Për çfarë lloj reduktimi apo tërheqjeje të KFOR-it po flet bashkësia ndërkombëtare? Ende nuk kemi një përgjigje se kush e rrahu brutalisht Rashkoviqin. Ata heshtin për këtë. Por për çfarë lloj tërheqjeje po flasim, sepse e njëjta gjë që ndodhi më 17 mars 2004 mund të ndodhë edhe tani,” tha Radojeviq.

Radojeviq theksoi se duhet të merret parasysh afrimi i verdiktit për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar në Hagë. Ai shtoi se Lista Serbe i kishte vënë në dukje KFOR-it shqetësimet e serbëve dhe kishte kërkuar forcimin e pranisë së tyre pak para shpalljes së “verdiktit”.

Ai gjithashtu shtoi se autoritetet në Mitrovicën e Veriut nuk kanë asnjë bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Kjo, sipas tij, u demonstrua së fundmi gjatë prishjes së “mbi 20 garazheve serbe, pa vendim gjykate dhe pa pëlqimin e komunës.”

Në fund, Radojeviq akuzoi se “Kurti po përpiqet me të gjitha mjetet ta thyejë veriun e Mitrovicës, sepse e di se duke vepruar kështu e thyen rezistencën e serbëve në Kosovë.”