**Rrëzimi i një droni në Rumani rrit shqetësimet e sigurisë së NATO-s**

Një dron është rrëzuar në territorin e Rumanisë, gjatë sulmeve ajrore ruse ndaj Ukrainës, duke ngjallur shqetësime të reja për sigurinë në krahun lindor të NATO-s. Sipas autoriteteve rumune, droni ra në një zonë të pabanuar në qarkun Tulcea, pranë kufirit me Ukrainën.

Ky incident shënon një rast tjetër në një zonë e cila ka përjetuar edhe më herët rënie dronësh gjatë sulmeve ruse kundër infrastrukturës ukrainase pranë Danubit.

Rrëzimi i dronit u regjistrua teksa Rusia ndërmori një valë të re sulmesh ajrore në Ukrainë, përfshirë Kievin dhe rajonin përreth, duke shkaktuar viktima dhe dëme të konsiderueshme.

Ndërkohë, edhe Polonia, një tjetër vend anëtar i NATO-s fqinj me Ukrainën, aktivizoi masat e sigurisë ajrore në përgjigje të sulmeve ruse. Forcat polake vendosën në gatishmëri avionët ushtarakë dhe sistemet e mbrojtjes ajrore, veçanërisht në zonat pranë kufirit me Ukrainën.