Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nënshkruar një dekret për vendosjen e sanksioneve ndaj individëve dhe organizatave ruse të lidhura me serialin e animuar popullor “Masha dhe Ariu”. Sipas autoriteteve të Kievit, ky serial promovon narrativat ruse dhe përbën kërcënim për sigurinë kombëtare të Ukrainës.

Dekreti, i nënshkruar më 20 gusht, vendos sanksione kundër pesë individëve rusë dhe katër organizatave të përfshira në krijimin dhe shpërndarjen e serialit. Zyra e presidentit ukrainas theksoi se “Masha dhe Ariu” promovon “narrativa pro-ruse të maskuara si përmbajtje për fëmijë”.

Sanksionet synojnë drejtpërdrejt studion Animaccord, krijuesen e serialit, si dhe themeluesin, drejtorin ekzekutiv, skenaristin, regjisorin dhe producentin e saj. Gjithashtu, objektiv i sanksioneve janë edhe një nga autorët e serialit, i cili paguan kontribute në buxhetin rus, dhe pronari i të drejtave të filmit vizatimor.

Në të kaluarën, kanali “Masha dhe Ariu” ka zënë vendin e parë në listën e kanaleve më të njohura të YouTube për fëmijë mes ukrainasve.

Më parë, Policia Kombëtare e Ukrainës kishte konfirmuar lidhjet e filmit vizatimor me Rusinë dhe kishte bërë thirrje për sanksione. Edhe në vitin 2017, një komision i Agjencisë Shtetërore të Filmit të Ukrainës shqyrtoi kërkesën për ndalimin e filmit vizatimor për shkak të pranisë së elementeve të propagandës ruse.

Një nga arsyet e shqetësimit është shfaqja e personazhit kryesor, Masha, në një episod, duke mbajtur një kapelë të lidhur me NKVD-në. NKVD ishte një prej shërbimeve të sigurisë së Bashkimit Sovjetik, anëtarët e të cilit njihen për pjesëmarrjen në shtypjen e lëvizjeve çlirimtare anti-sovjetike.