**Vijojnë Zjarret në Lezhë dhe Mirditë: Vatra Aktive në Tenë dhe Mali i Kashnjetit**
Disa vatra zjarri mbeten aktive në qarkun Lezhë, ndërsa autoritetet kanë intensifikuar angazhimin e forcave dhe mjeteve për vënien e tyre nën kontroll.
Sipas përditësimit të fundit, në orën 08:00 të mëngjesit të 22 gushtit, Bashkia Kurbin nuk raporton probleme me zjarret.
Në Bashkinë Lezhë, zjarri i përhapur nga fshati Vrrith i Pukës, vijon të jetë aktiv në malin e Kashnjetit, duke u drejtuar drejt fshatrave Kashnjet dhe Kalivaç. Vatra po monitorohet nga 3 punonjës të shërbimit pyjor dhe 4 përfaqësues të njësisë administrative. Terreni i vështirë e bën të pamundur ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.
Ndërkohë, në Bashkinë Mirditë, vatra e zjarrit në fshatin Tenë, në Njësinë Administrative Rrëshen, mbetet aktive. Që prej orës 06:30, forca të Forcave të Armatosura, mjete zjarrfikëse, punonjës të shërbimit pyjor dhe struktura të bashkisë po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve.
Vatra në fshatin Perlat i Epërm, në Njësinë Administrative Kthellë, vijon të jetë nën monitorim, ndërsa në fshatin Shtuf, në Njësinë Administrative Kaçinar, zjarri vazhdon të jetë aktiv. Autoritetet bëjnë me dije se në këtë zonë nuk ka rrezik për banesat e qytetarëve.
Lidhur me infrastrukturën, furnizimi me ujë të pijshëm dhe energji elektrike është normal. Akset rrugore kombëtare dhe rurale janë të kalueshme, megjithatë, vihet re trafik i rënduar në qytetin e Lezhës dhe në aksin nacional Laç-Lezhë-Shkodër.
Niveli i lumenjve Drin dhe Mat mbetet në nivele minimale./TCh/
