Ibrahimi (AKK): Mungon bashkëpunimi me nivelin qendror, dëmet nga fatkeqësitë natyrore kalojnë dhjetëra miliona euro

Sazan Ibrahimi, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), ka kritikuar ashpër mungesën e bashkëpunimit me nivelin qendror, duke theksuar se kjo ka çuar në moskompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë natyrore. Sipas tij, këto dëme, të akumuluara ndër vite, kapin shifrën e dhjetëra miliona eurove.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi shprehu shqetësimin e thellë për vonesat në kompensimin e dëmeve, duke përmendur se bujqit në disa raste nuk janë dëmshpërblyer plotësisht për vërshimet që nga viti 2022. Ai kërkoi krijimin e një fondi emergjent për komunat, me qëllim që reagimi institucional të jetë më i shpejtë dhe efikas.

“Bashkëpunimi me nivelin qendror nuk është i sinqertë. Komunat kanë kërkuar vazhdimisht bashkëpunim, por mungesa e tij sjell mosrezultate,” theksoi Ibrahimi. Ai shtoi se jo vetëm bujqit, por edhe qytetarët, bizneset dhe infrastruktura lokale ende presin dëmshpërblim për fatkeqësitë e ndodhura gjatë viteve të fundit, duke përfshirë vërshimet e vitit 2022 dhe stuhitë e këtij viti.

Drejtori i AKK-së sqaroi se, sipas legjislacionit në fuqi, komunat janë përgjegjëse për vlerësimin e dëmeve dhe miratimin e raporteve në kuvendet komunale, ndërsa përgjegjësia institucionale dhe ligjore për kompensimin bie mbi nivelin qendror.

“Kemi kërkuar një fond emergjent për komunat, në mënyrë që ato t’i përkrahin qytetarët sa më shpejt që është e mundur dhe të mos ketë vonesa të tilla si moskompensimi i dëmeve nga vërshimet e vitit 2022,” theksoi Ibrahimi. Ai shtoi se pasojat vazhdojnë të ndihen, pasi qytetarët, bizneset dhe infrastruktura lokale tregojnë se niveli qendror nuk po i mbështet komunat, jo vetëm në kompensimin e dëmeve, por edhe në investimet kapitale.

Ibrahimi përsëriti kërkesën për një fond emergjent për komunat. “Nëse nuk kemi dëme nga fatkeqësitë natyrore, ato mjete financiare normalisht i kthehen qeverisë. Por duhet të kemi një vijë buxhetore të alokuar, për të siguruar një ndërhyrje shumë më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës në rast vërshimesh, zjarresh apo fatkeqësish të tjera,” shpjegoi ai. Ibrahimi konkludoi se të gjitha këto kërkesa janë injoruar nga niveli qendror, i cili shpesh merr vendime arbitrare në dëm të komunave të Republikës së Kosovës.