**Aksident i rëndë në Holandë: Autobusi me nxënës gjermanë përplaset me furgon, 20 të plagosur**

Mëngjesin e sotëm, një aksident i rëndë ka ndodhur në Holandën lindore, ku një autobus turistik me targa austriake, që transportonte nxënës të shkollave të mesme nga Gjermania, është përplasur me një furgon shpërndarjeje.

Aksidenti ndodhi rreth orës 04:00 në autostradën A28, pranë qytetit Weeze, rreth 100 kilometra në lindje të Amsterdamit. Policia holandeze bëri të ditur se rreth 20 persona janë plagosur, prej të cilëve tetë janë dërguar në spital për trajtim mjekësor. Sipas Policisë së provincës Gelderland, disa nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë, ndërsa të tjerët kanë pësuar dëmtime më të lehta. Edhe drejtuesi i furgonit të shpërndarjes është mes të plagosurve.

Më shumë se 50 persona ndodheshin në autobus. Për shkak të përplasjes së fortë, shumë prej pasagjerëve pësuan dëmtime nga xhamat e thyer. Pamjet filmike të publikuara nga policia tregojnë ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit duke shpëtuar nxënësit nga autobusi përmes çatisë së mjetit. Pas aksidentit, autostrada A28 u mbyll në të dyja drejtimet, ndërsa ekipet e shpëtimit vijuan punën në vendngjarje. Autoritetet holandeze kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.