**Kamion Kosovar me automjete ndalohet në Gjermani, zbulohen shkelje të shumta dhe të rënda**

Një kamion transportues automjetesh nga Kosova është ndaluar në Gjermani, pas kontrolleve të imtësishme që zbuluan një sërë shkeljesh dhe defektesh teknike të rrezikshme.

Ngjarja u regjistrua kur një patrullë e Inspektoratit të Policisë Rrugore të Nurembergut ndaloi për kontroll kamionin, i cili transportonte tetë vetura të ngarkuara në Podujevë, pas një udhëtimi prej rreth 1399 kilometrash.

Kontrolli fillestar i përmasave të mjetit zbuloi se kombinimi i automjeteve tejkalonte kufijtë e lejuar të gjatësisë dhe lartësisë. Për shkak të dyshimeve të tjera, u thirr një ekip i specializuar nga njësia e kontrollit të mjeteve të rënda të Inspektoratit të Policisë Rrugore të Nurembergut për një inspektim më të thelluar.

Gjatë këtij inspektimi, mekaniku përgjegjës konstatoi disa defekte serioze:
* Sistemi i frenimit në boshtin e parë të rimorkios (krahun e djathtë) nuk funksiononte.
* Freni në boshtin e dytë të rimorkios (po ashtu në krahun e djathtë) ishte bllokuar dhe si pasojë, ishte mbinxehur.
* Në memorien e gabimeve u regjistrua një defekt në sistemin ABS.
* Mekanizmi i bllokimit të timonit ishte i dëmtuar, duke e lënë rregullimin e pozicionit të tij vazhdimisht të lirshëm.
* Sistemi i drejtimit ishte i bllokuar gjatë qëndrimit të mjetit, duke kufizuar lëvizjen e timonit në vetëm 190 gradë.
* Siguresa e sistemit AdBlue ishte me defekt.

Për shkak të këtyre defekteve të shumta dhe potencialisht të rrezikshme për sigurinë rrugore, kamionit iu ndalua menjëherë vazhdimi i udhëtimit.

Ndaj drejtuesit 41-vjeçar të mjetit është nisur procedurë ligjore për shkelje të rënda të rregullave të trafikut. Gjithashtu, ndaj kompanisë kosovare të transportit është iniciuar procedurë për konfiskim asetesh.