Rrustem Mustafa-Remi, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka theksuar sërish nevojën për një koalicion qeverisës mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Ai nënvizon se Kosova ka nevojë për vendime, jo për zvarritje.
Mustafa, sipas një postimi të tij, shkruan: “Edhe sot, politika nuk po gjen guximin të vendosë, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje ka vota të mjaftueshme në Kuvend për të ndërtuar institucionet. Atëherë, pse ende nuk po vendoset? A mungojnë votat, apo mungon guximi për të marrë përgjegjësinë? Kosova ka nevojë për vendim, jo për zvarritje.”
Kjo deklaratë e sotme vjen në vazhdën e qëndrimeve të tij të mëparshme, pasi ai ka ripërcjellë një artikull të botuar më 25 gusht 2017 nga Gazeta Tribuna. Në atë kohë, Mustafa kishte shprehur keqardhje për nivelin politik të shfaqur, ku inatet politike viheshin përpara interesave shtetërore. Sipas artikullit, ai theksonte se në vend të garimit se kush është “më hero apo më keqpërdorues”, liderët politikë duhet të vendosnin prioritete për qeverisjen e ardhshme.
Në atë kohë, Mustafa i kishte thënë Tribuna Channel se liderët politikë duhet të ndërmerrnin hapin e parë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai nënvizonte: “Procesi i vendosjes së rendit dhe ligjit në vendin tonë duhet të jetë i pakompromis, në mënyrë që shpejt dhe sigurt të shndërrohet në prioritet kryesor të shoqërisë, institucioneve dhe shtetit si tërësi. Krimet duhet të adresohen pa fleksibilitet dhe pa dallim.”
Mustafa theksonte se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është hapi i parë dhe kritik për të hapur rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe funksionimit të shtetit sipas normave evropiane. “Të gjitha pasuritë e përfituara apo asetet e përvetësuara/uzurpuara ilegalisht duhet t’i kthehen pronarit legjitim – shtetit,” citohej Mustafa. Ai shtonte se pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme duhet t’i kthehet shtetit, duke theksuar se “krahas dënimeve meritore, konfiskimi i pasurisë është masa më e mirë ndëshkuese për pasurinë e përfituar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni. Duhet të çrrënjosim njëherë e mirë këtë fenomen shkatërrues, duke i kthyer vendit dinjitetin e merituar.” (Burimi: Indeksonline, Gazeta Tribuna)
