Glauk Konjufca, ministër në detyrë i Punëve të Jashtme, ka mbërritur mëngjesin e sotëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku do të zhvillohet seanca e rigjykimit ndaj tij. Çështja ka të bëjë me akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Seanca është programuar të nisë në orën 09:30.
Më 26 shkurt 2024, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte shpallur Konjufcën të pafajshëm për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Për akuzën tjetër, “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, ajo ishte refuzuar për shkak të parashkrimit.
Megjithatë, ky vendim u anulua nga Gjykata e Apelit, e cila e ktheu çështjen për rigjykim.
Aktakuza kundër Konjufcës u ngrit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2017. Ai akuzohet se, më 10 gusht 2016, në cilësinë e deputetit, hodhi gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës gjatë një mbledhjeje. Sipas aktakuzës, tymi i krijuar nga gazi detyroi pjesëmarrësit të largoheshin nga salla.
