Rigjykimi për gazin lotsjellës në Kuvend: Glauk Konjufca nuk ndihet fajtor
Rigjykimi ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka nisur sërish lidhur me akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës kur ai shërbente si deputet. Në seancën e fundit, Konjufca deklaroi se nuk ndihet fajtor për akuzat e ngritura ndaj tij.
“Jo, nuk ndihem fajtor,” theksoi ai.
Prokurori Dardan Qela theksoi se Prokuroria e Shtetit qëndron plotësisht pas aktakuzës për veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm. Ai shprehu besimin se fajësia e të pandehurit do të vërtetohet në fund të procesit gjyqësor, bazuar në provat e propozuara dhe të shtjelluara.
Nga ana tjetër, avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, argumentoi se ngjarjet e vitit 2016 duhet parë në kontekstin e situatës së tensionuar politike dhe institucionale në Kosovë. Ajo theksoi se incidentet me gaz lotsjellës ishin pjesë e kundërshtimit të opozitës ndaj marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke e cilësuar veprimin si politik dhe jo kriminal. Zeqiri vuri në pikëpyetje edhe vlefshmërinë e provave materiale të paraqitura në aktakuzë, duke përmendur një fotografi si dëshmi të pamjaftueshme.
Më parë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt 2024, kishte shpallur aktgjykim lirues për Konjufcën, me arsyetimin se nuk ishte provuar kryerja e veprës penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Për veprën tjetër, “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, akuza ishte refuzuar për shkak të parashkrimit. Megjithatë, ky vendim u rrëzua nga Gjykata e Apelit, e cila e ktheu rastin në rigjykim.
Aktakuza fillestare ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2017, duke e akuzuar Konjufcën për dy vepra penale. Sipas aktakuzës, Konjufca, në cilësinë e deputetit, akuzohet se më 10 gusht 2016, gjatë një mbledhjeje të Kuvendit, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallë, gjë që kishte pamundësuar qëndrimin e pjesëmarrësve dhe i kishte detyruar ata të braktisnin sallën.
