Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka kërkuar arrestimin dhe paraburgosjen e gazetarit Milaim Zeka, duke shprehur publikisht habinë e saj mbi faktin që ai është ende në liri.

Nëpërmjet një postimi në platformën Facebook, Fejza akuzoi Zekën se po ofron arsye të rreme lidhur me përfshirjen e emrit të tij në aktakuzën e Prokurorisë Speciale kundër Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për spiunazh në favor të Serbisë.

“Milaim Zeka po arsyetohet se materialet që ia ka dhënë Fatmir Sheholli kanë qenë të GIZ-it. Mirëpo, materialet kanë qenë në serbisht, për të cilat Zeka ka marrë para për t’i përkthyer. Milaimi e di që GIZ-i gjerman materialet i ka gjithashtu në gjermanisht, jo në serbisht. Mjaft me gënjeshtra, tani fjalën e ka Prokuroria. Pse është ende i lirë ky njeri?”, shkroi Fejza.

Sipas aktakuzës, Sheholli kishte udhëtuar drejt Mitrovicës së Veriut me qëllim ndërhyrjeje në zgjedhjet lokale të Kosovës. Aty, ai kishte pranuar materiale audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Këto materiale, sipas Prokurorisë, ishin “të destinuara për komprometimin e tyre”. Po në Mitrovicën e Veriut, Sheholli akuzohet se kishte marrë një shumë prej 5,000 eurosh si shpërblim për kryerjen e kësaj detyre. Më pas, “në zbatim të udhëzimeve të marra nga një zyrtar i BIA-s (Agjencia Informative e Sigurisë së Serbisë), materialet ia kishte dorëzuar gazetarit Milaim Zeka”.

Aktakuza thekson se Zeka kishte pranuar 1,000 euro dhe ishte udhëzuar lidhur me kohën dhe mënyrën e publikimit të materialeve në emisionin “Pa Rrotlla”, disa ditë para votimit në zgjedhjet lokale.

Nga ana e tij, Zeka ka mohuar se ishte në dijeni për origjinën e materialeve nga BIA. Ai pretendon se, pasi ishte informuar nga Policia e Kosovës, i kishte kthyer paratë dhe kishte larguar materialet nga media e tij.