Libri “Ilmi Ramadani – veprimtar qëndrestar”, i autorit Selatin Novosella, është promovuar sot, duke sjellë në vëmendje jetën, veprimtarinë dhe kontributin e shquar të veprimtarit të njohur Ilmi Ramadani.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, përgëzoi autorin Selatin Novosella për përkushtimin e tij në dokumentimin e veprimtarisë së personaliteteve që kontribuuan për lirinë e vendit. Ai theksoi rëndësinë e njohjes së historisë dhe ruajtjes së dëshmive të ish-të burgosurve politikë. “Një popull që e njeh historinë e vet, e kupton çmimin e lirisë. Një shtet që i nderon njerëzit e sakrificës, forcon themelet e veta,” u shpreh Rama. Ai shtoi se liria e sotme mban mbi vete sakrificat e mijëra njerëzve dhe se detyrë e institucioneve është mbrojtja dhe zhvillimi i shtetit për të cilin ata sakrifikuan.

Në vijim, profesori Ramë Buja theksoi se vepra e Novosellës nuk është thjesht një biografi, por një monografi e strukturuar dhe studimore mbi jetën dhe veprimtarinë e Ilmi Ramadanit. “Ky libër është një monografi e strukturuar, edhe rrëfyese, por më shumë analizuese e studiuese e jetës dhe bëmave të Ilmi Ramadanit, që ishte përherë i thellë, i qartë, përcaktues dhe i bindur në rrugën e vështirë të realizimit të lirisë së Kosovës,” citoi Buja. Ai kujtoi fatin e tij dhe të autorit Novosella për të qenë pranë Ilmi Ramadanit, duke ndarë së bashku periudha të vështira në burgjet ish-jugosllave, si dhe angazhimin në organizime politike, humanitare dhe në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa, autori Selatin Novosella u shpreh se nuk i takon të flasë për veprën e tij, por vlerësoi lart fjalët dhe vlerësimet e të pranishmëve, duke përfshirë kryetarin Rama dhe profesor Bujën. Ai kujtoi punën e tij të gjatë krijuese, duke theksuar se ka shkruar 44 libra. Novosella falënderoi veçanërisht Ramë Bujën, duke e cilësuar mik, shok dhe redaktor të pesë librave të tij. Ai shpjegoi se shkrimi i librave për veprimtarë si Halit Nesha, Adil Zihni, Rexhep Madera, Isa Kastrati, Osman Omosha dhe Ilmi Ramadani, ishte “puna më e lehtë e mundshme”, pasi jetët dhe biografitë e tyre ishin të pasura me trashëgimi dhe domethënie. Novosella theksoi se të gjithë këta persona, përfshirë Ilmi Ramadanin, ishin bashkëveprimtarë të tij dhe se libri i fundit botohet në përvjetorin e tij, si një homazh për jetën e tij kushtuar çështjes kombëtare.