**PDK refuzon dialogun për presidentin: S’i besojmë Kurtit**

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk do të marrë pjesë në dialogun për zgjedhjen e presidentit të ri. Këtë e ka bërë të ditur deputeti Përparim Gruda, i cili theksoi se PDK mbetet në opozitë dhe nuk i beson kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për arritjen e një marrëveshjeje politike.

Në një konferencë për media, Gruda tha se PDK-ja e ka përcaktuar qartë pozicionin e saj dhe nuk do të bëhet pjesë e asaj që ai e quajti “teatër politik”.

Gruda shpjegoi qartë qëndrimin e partisë: “Ne jemi deklaruar se jemi parti në opozitë, prandaj nuk jemi pjesë e dialogut për të zgjedhur një president. Qëndrimi ynë mbetet i palëkundur dhe nuk ndryshon. Pavarësisht proceseve që zhvillojnë partitë e tjera, ne e kemi caktuar pozicionin tonë. Jemi në opozitë, sepse pasi morëm pjesë në takimin me zotin Kurti, ne besojmë se ai nuk ka ndërmend ta zgjidhë krizën në Kosovë, prandaj nuk marrim pjesë në këtë teatër politik.”

Deputeti Gruda theksoi se nuk dëshiron të komentojë qëndrimet e partive të tjera, por përsëriti se PDK-ja nuk i beson vullnetit të kryeministrit Kurti për të arritur një marrëveshje politike.

“Do të isha i rezervuar të komentoja sjelljen e partive të tjera. Unë mund të them një gjë: nuk i besoj Albin Kurtit në përpjekjet që po bën. Partia Demokratike e Kosovës nuk beson në vullnetin e mirë të kryeministrit Kurti për të arritur një marrëveshje politike. Kjo është ajo që mund të them,” përfundoi ai.