**Publikohen çmimet maksimale të derivateve për sot dhe nesër**
Ministria e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MITN) ka njoftuar sot për caktimin e çmimeve maksimale të shitjes së derivateve të naftës, të vlefshme për ditën e sotme dhe atë të nesërme.
Sipas njoftimit, çmimi maksimal i naftës do të jetë 1.70 euro për litër. Benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 1.53 euro për litër, ndërsa gazi do të shitet me 0.63 euro për litër.
Krahasuar me ditën e djeshme, çmimi i naftës ka shënuar një rënie prej 1 cent, pasi dje tregtohej me 1.71 euro për litër. Ndërkohë, çmimet e benzinës dhe gazit mbeten të pandryshuara që nga dita e djeshme.
Në të kaluarën, si pasojë e krizave gjeopolitike dhe paqëndrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare, çmimet e naftës në Kosovë kishin arritur deri në 1.91 euro për litër.
