Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, ka shprehur shpresën për arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas takimit të zhvilluar mbrëmë mes kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haxhiu theksoi se finalizimi i marrëveshjes është thelbësor për avancimin e vendit.
“Uroj që marrëveshja të përmbyllet sa më parë, sepse është shumë e rëndësishme që të ecim përpara”, tha Haxhiu.
Ajo nënvizoi se Kosova ka përpara një sërë përgjegjësish dhe reformash që duhet të vazhdohen, si dhe obligime në proceset integruese.
“Le të shpresojmë që java që po vjen të jetë vendimtare për këtë proces të rëndësishëm”, deklaroi Haxhiu.
Sipas saj, arritja e një marrëveshjeje të tillë do të ishte jetike për vazhdimin e rrugëtimit të Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe NATO, si dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë. /RTK
