26 zjarre në 24 orë në Shqipëri, monitorohet edhe një tërmet
Gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë janë regjistruar 26 vatra zjarri. Prej tyre, 4 mbeten ende aktive, ndërsa 2 të tjera janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, për t’i bërë ballë situatës janë angazhuar 315 forca operacionale dhe 25 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve, janë përdorur edhe 4 helikopterë dhe 75 efektivë të Forcave të Armatosura (FA).
Situata më problematike paraqitet në Malin e Dajtit, drejt Qafë-Priskës, ku janë riaktivizuar vatra zjarri dhe flakët janë zgjeruar. Operacioni atje vijon me 15 zjarrfikës, 9 punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura (AdZM) dhe 20 efektivë të FA-së.
Në qarkun Dibër, vatrat aktive ndodhen në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë. Në Vajkal janë angazhuar 38 forca të Mbrojtjes Civile dhe bashkisë, si dhe 30 efektivë të FA-së. Në Sllatinë operojnë 91 forca, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Elbasan, zjarret në malin e Dardhës dhe atë të Qukësit janë nën mbikëqyrje dhe nuk kërcënojnë banesat e qytetarëve.
Gjatë natës së fundit, u regjistrua edhe një tërmet me magnitudë 4.7, me epiqendër në njësinë administrative Vergo, në bashkinë Delvinë. Sipas autoriteteve, nuk janë raportuar dëme në njerëz apo infrastrukturë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë vendin. Strukturat e emergjencave mbeten në gatishmëri të plotë për çdo ndërhyrje, duke pasur si prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
