**Shukrije Ramadani përkrah Faton Bislimin për President të Kosovës**

Shukrije Ramadani, bashkëshortja e heroit kombëtar Agim Ramadani, ka përkrahur publikisht propozimin e William Walker dhe Joseph DioGuardi për kandidaturën e Faton Bislimit për postin e presidentit të Kosovës.

Ramadani theksoi se Faton Bislimi është kandidati i duhur, pasi përfaqëson një qasje që Kosovës i nevojitet më shumë se kurrë: bashkim, përgjegjësi dhe vizion shtetëror. Sipas saj, Bislimi posedon integritetin për të krijuar besim, aftësinë për të dëgjuar dhe përvojën për ta përfaqësuar Kosovën me dinjitet si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.

Në mesazhin e saj, Ramadani u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të veprojnë me përgjegjësi. “Ky është momenti për të vepruar me përgjegjësi. Mos e shihni këtë zgjedhje vetëm nëpërmjet kalkulimeve partiake. Shiheni nëpërmjet asaj që i duhet Kosovës,” thekson ajo. “Faton Bislimi është një kandidat që mund të ndërtojë ura, të rikthejë besimin dhe ta përfaqësojë Republikën me seriozitet e dinjitet.”