Administrata amerikane synon të forcojë trysninë ekonomike ndaj Iranit, duke paralajmëruar masa të reja ndëshkuese që pritet të shpallen çdo javë.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, theksoi se Uashingtoni do të vërë në shënjestër institucionet dhe kompanitë që mbajnë lidhje financiare me Iranin. “Do të shihni shumë më tepër masa të tilla çdo javë”, deklaroi ai në një intervistë për Reuters, para takimit të ministrave të Financave të G20.

Ky paralajmërim vjen pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj degëve të Banque Misr në Emiratet e Bashkuara Arabe, të dyshuara për lidhje financiare me Iranin.

Bessent sqaroi se ndëshkimet mund të shkojnë deri në përjashtimin e plotë të disa institucioneve nga sistemi financiar i bazuar në dollarin amerikan.

Ai bëri të ditur se SHBA-ja do t’u kërkojë ministrave të Financave dhe bankierëve qendrorë të G20 të ndërpresin marrëdhëniet ekonomike me Iranin.

Në të kundërt, institucionet mund të përballen me sanksione dytësore. “Jeni ose me ne, ose me iranianët”, u shpreh Bessent, duke theksuar qartë pozicionin e administratës amerikane.

Sipas sekretarit të Thesarit, synimi i këtyre masave është bllokimi i regjimit iranian të përdorë sistemin financiar ndërkombëtar për financim. Ai kundërshtoi pretendimet se sanksionet e SHBA-së nuk do të kenë efekt nëse nuk vendosen masa ndaj kompanive kineze që blejnë naftë nga Irani. Bessent tha se pjesa më e madhe e këtyre blerjeve është kufizuar tashmë nëpërmjet masave amerikane kundër porteve iraniane.

Ai shtoi se po ulet edhe nafta iraniane e depozituar në cisterna. “Problemi është zgjidhur”, deklaroi Bessent, duke nënkuptuar bindjen e Uashingtonit se presioni ekonomik po jep rezultat.

Me njoftimin për masa ndëshkuese të reja çdo javë, Shtetet e Bashkuara synojnë të rrisin koston ekonomike për Iranin, si dhe për institucionet ndërkombëtare që vazhdojnë bashkëpunimin me të.