Fqinj zjarrfikës shpëton shtatë persona nga zjarri në Gjermani

Një fqinj heroik, njëherësh zjarrfikës, shpëtoi shtatë persona, përfshirë fëmijë dhe të rinj, nga një zjarr i fuqishëm që përfshiu një shtëpi në Schenefeld të Gjermanisë gjatë natës.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 02:39. Ishte pikërisht zjarrfikësi, që banonte aty pranë, i cili vuri re tymin që dilte nga shtëpia dhe menjëherë u nis drejt saj për të verifikuar nëse kishte njerëz brenda.

Sipas mediave gjermane, disa prej banorëve nuk e kishin vërejtur zjarrin dhe madje disa prej tyre iu desh të zgjoheshin nga heroi.

Zjarrfikësi arriti të nxirrte shtatë persona nga ndërtesa, ndërsa një i teti kishte dalë vetë. Kështu, të tetë banorët u shpëtuan plotësisht përpara mbërritjes së ekipeve të tjera të emergjencës. “Falë ndërhyrjes së guximshme, të tetë personat u shpëtuan”, deklaruan autoritetet zjarrfikëse.

Zjarri u përhap me shpejtësi, duke përfshirë pothuajse të gjithë çatinë prej kashte të ndërtesës.

Mbi 60 zjarrfikës u angazhuan në shuarjen e flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit në shtëpitë përreth.

Disa nga banorët, si dhe zjarrfikësi që kreu aktin heroik të shpëtimit, u kontrolluan nga mjekët për shkak të irritimit të rrugëve të frymëmarrjes.