Kylie Minogue rikthehet me pamjen ikonike të hitit “Can’t Get You Out Of My Head”, teksa kënga shënon 1 miliard transmetime në Spotify, mbi dy dekada pas publikimit të saj.
Këngëtarja australiane pozoi së fundmi me një veshje që të sjell menjëherë në mendje pamjen e saj të famshme nga videoklipi i kësaj kënge, e cila sapo arriti një miliard transmetime në platformën Spotify.
Kylie Minogue ka sjellë sërish në vëmendje një prej pamjeve më ikonike të karrierës së saj, ndërsa feston një rekord të ri për këngën “Can’t Get You Out Of My Head”. Ylli australian ka publikuar disa fotografi të rralla nga koha e realizimit të videoklipit, ku spikat stili i saj i veçantë, i cili e bëri këngën të paharrueshme.
Me një veshje të bardhë, shumë të ngjashme me atë që fansat e kanë lidhur prej vitesh me videoklipin, Kylie duket se është kthyer pas në kohë, duke rikrijuar atmosferën e fillimit të viteve 2000. Kjo pamje është veçanërisht e njohur për fansat, pasi “Can’t Get You Out Of My Head” u kthye në një prej videoklipeve më ikonike të karrierës së saj, falë veshjeve të guximshme dhe stilit futurist që karakterizonte atë periudhë.
Rikthimi i kësaj pamjeje vjen pikërisht në kohën kur kënga ka shënuar një sukses tjetër historik: ajo ka kaluar 1 miliard transmetime në Spotify, mbi dy dekada pas publikimit të saj.
“Faleminderit të gjithëve në mbarë botën që e keni transmetuar, kënduar, kërcyer dhe dashur!”, shkroi Kylie në rrjetet sociale. Ajo publikoi gjithashtu fotografi nga përgatitjet për videoklipin, duke kujtuar kohën kur provonte veshjet dhe pamjen që do të përdorej gjatë xhirimeve. “Dikush t’i tregojë asaj se ka arritur një miliard (transmetime)”, shkroi këngëtarja me humor.
E publikuar më 8 shtator 2001 si pjesë e albumit “Fever”, kënga arriti në vendin e parë në më shumë se 40 shtete dhe u kthye në një nga hitet më të mëdha të Kylie Minogue. Sot, më shumë se dy dekada më vonë, jo vetëm muzika, por edhe pamja e saj ikonike vazhdon të mbetet e paharrueshme.
