**Protesta e Komunave: Agim Aliu, Qeverisë: Mos i Ndëshkoni Qytetarët me Barrat Tona Financiare**
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), njëherësh kryetar i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të kompensojë komunat dhe të marrë përsipër financimin e obligimeve që burojnë nga marrëveshjet e nivelit qendror. Gjatë protestës së komunave në Prishtinë, para hyrjes së Qeverisë, Aliu theksoi se qytetarët dhe shqetësimet e tyre nuk meritojnë të dënohen apo ndëshkohen.
Aliu deklaroi se komunat nuk u përkasin kryetarëve, por qytetarëve të tyre, dhe se barra financiare e pamerituar po çfunkcionalizon qeverisjen lokale si tërësi. “Mjaft më me plagën financiare të komunave pa fajin e obligimeve të tyre, që po çfunkcionalizon e shkatërron qeverisjen lokale si tërësi,” tha ai. “Qytetarët na besuan ta bëjmë më të mirë e më të lehtë jetën e tyre. Ata nuk meritojnë të dënohen, të ndëshkohen, të lihen në mëshirën e fatit.”
Ai shtoi se kjo situatë ka bërë që zyrtarët komunalë të përballen me mungesën e buxhetit për projekte dhe nisma të reja. “Është e pamundur, nuk ka buxhet për këtë nisëm, nuk ka buxhet për këtë projekt,” ka cituar Aliu si “refranin e dhimbshëm” të gjendjes në të cilën lëngojnë komunat prej vitesh. Ai kërkoi që kjo gjendje të ndryshojë menjëherë, duke theksuar se komunat meritojnë të punojnë me vizione dhe projekte zhvillimi, jo me arka bosh.
Aliu kujtoi se komunat janë porta e parë ku troket çdo qytetar, duke përmendur përgjegjësitë e tyre në arsim, kujdes shëndetësor parësor, mirëmbajtje të rrugëve, infrastrukturës dhe hapësirave publike, shërbime sociale, si dhe mbështetjen e fermerëve, bizneseve, të rinjve dhe familjeve. “Prandaj, kur dëmtohet buxheti i komunës, nuk dëmtohet vetëm një institucion, dëmtohet qytetari, nxënësi, mësimdhënësi, mjeku, fermeri, biznesi dhe secila familje që pret shërbime cilësore,” theksoi ai.
Problemi kryesor, sipas AKK-së, qëndron tek obligimet financiare të bartura komunave nga niveli qendror, për të cilat nuk janë siguruar mjetet e nevojshme. Një nga barrat më të rënda janë kontratat kolektive, të cilat janë negociuar dhe nënshkruar në nivel qendror, pa pjesëmarrjen apo pëlqimin e komunave. Megjithatë, faturat u janë dërguar komunave, të cilat kanë paguar miliona euro dhe vazhdojnë t’i paguajnë këto obligime edhe sot.
“Nga viti 2022 deri në gusht të vitit 2026, nga buxhetet komunale janë marrë me qindra miliona euro për përmbushjen e obligimeve që burojnë nga kontratat kolektive,” tha Aliu. Ai shtoi se me këto mjete do të mundësohej ndërtimi i shkollave, çerdheve, rrugëve, kanalizimeve, qendrave shëndetësore, objekteve sportive dhe do të mbështeteshin fermerët, bizneset, të rinjtë, studentët dhe familjet në nevojë.
“Ne nuk mohojmë asnjë të drejtë të punëtorëve, por buxheti duhet të sigurohet nga institucionet qendrore që lidhin marrëveshjet kolektive, sepse është krejt e papranueshme që të tjerët të nënshkruajnë e të krijojnë obligime, ndërsa komunat të paguajnë,” theksoi Aliu, duke kërkuar kompensim nga Qeveria për mjetet e marra për financimin e obligimeve që burojnë nga vendimet dhe marrëveshjet e nivelit qendror.
Një çështje tjetër me rëndësi të posaçme, sipas Aliut, është norma e përvojës së punës prej 0.5% e dalë nga ligji i miratuar për pagat. Kjo normë u është zvogëluar punonjësve publikë nga 0.5% në 0.25%, gjë që ka ndikuar negativisht tek ta.
