Superliga e Kosovës: Dy duele kyçe sot

Superliga e Kosovës zhvillon sot dy përballje të rëndësishme të javës së katërt, të cilat nisin në orën 16:00. Në program janë ndeshjet Malisheva – Gjilani dhe Ballkani – Feronikeli 74.

Në stadiumin e Malishevës pritet një duel tejet interesant mes dy skuadrave që e kanë nisur shkëlqyeshëm kampionatin. Malisheva dhe Gjilani numërojnë nga shtatë pikë pas tri ndeshjeve, duke regjistruar dy fitore dhe një barazim secila, çka i mban ende të pamposhtura.

Malisheva e nisi sezonin me një fitore bindëse 6-1 ndaj Vushtrrisë, për të barazuar më pas me Drenicën dhe për të triumfuar ndaj Prishtinës, duke u pozicionuar kështu në krye të tabelës. Gjilani gjithashtu ka grumbulluar shtatë pikë, rezultat i dy fitoreve dhe një barazimi.

Për këtë arsye, dueli i sotëm ka një peshë të veçantë për kryesimin e renditjes. Skuadra fituese do të bëjë një hap thelbësor drejt kreut të tabelës.

Nga ana tjetër, Ballkani do të përballet me Feronikelin 74, në një ndeshje ku dy skuadrat kanë objektiva krejtësisht të ndryshëm.

Ballkani, me gjashtë pikë pas tri ndeshjesh (dy fitore dhe një humbje), synon sot rikthimin te fitorja për të mos lejuar shkëputjen e ekipeve kryesuese.

Përballë tyre do të jetë Feronikeli 74, ende pa pikë, i cili i ka humbur të gjitha ndeshjet e para të kampionatit. Skuadra nga Drenasi ka shënuar vetëm një gol deri më tani, ndërsa ka pësuar shtatë.