Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, ka shpjeguar arsyet e zgjedhjeve të tij për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, duke theksuar mungesën e lojtarëve nga kampionati vendas në listën aktuale.

Italiani bëri të ditur se lista e lojtarëve pësoi ndryshime në momentet e fundit. Megjithatë, ai paralajmëroi se futbollistët që aktivizohen në Superiore do të kenë mundësinë të ftohen në të ardhmen.

Maran u ndal edhe te çështja e lojtarëve të rinj, duke nënvizuar se Shqipëria ka më pak alternativa në këtë drejtim krahasuar me kombëtaret e tjera.

“Kam zgjedhur t’i besoj këtij blloku. Kampionati shqiptar ka lojtarë të veçantë dhe shpresoj t’i grumbulloj në ndeshjet e tjera. Shumë shpejt do të shohim edhe lojtarë të rinj të grumbullohen”, deklaroi Maran.

Ai theksoi se objektivi kryesor mbetet përfundimi në vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve.

“Kemi sjellë lojtarë të rinj si Sina, por në këtë rast ka rëndësi rezultati. Mund të jemi disi të kufizuar krahasuar me kombëtaret e tjera që kanë shumë opsione”, u shpreh trajneri kuqezi.

Maran shtoi se interesi për lojtarët e rinj është evident, por sipas tij duhet të krijohen edhe kushtet e përshtatshme për grumbullimin e tyre me Kombëtaren.