Përzgjedhësi i Kombëtares U21 të Kosovës, Hekuran Kryeziu, ka bërë publike listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e radhës kualifikuese për Kampionatin Evropian 2027.

Dardanët e rinj do të zhvillojnë tri takime thelbësore në këtë cikël: një në udhëtim kundër San Marinos, ndërsa më pas dy sfida në shtëpi, përballë Qipros dhe Finlandës, të dyja në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja e parë është planifikuar për datën 24 shtator, ku Kosova U21 do të udhëtojë në Serravalle për t’u përballur me San Marinon, duke filluar nga ora 20:30 në “San Marino Stadium”.

Pesë ditë më vonë, më 30 shtator, Kosova U21 do të presë Qipron në stadiumin “Fadil Vokrri”, me ndeshjen që do të nisë në orën 19:00.

Sfida përmbyllëse e këtij cikli do të jetë ajo kundër Finlandës, e cila luhet më 6 tetor, po ashtu në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 19:00.

Këto tri përballje janë me rëndësi të veçantë për Dardanët e rinj, teksa synojnë një kualifikim të suksesshëm në Kampionatin Evropian U21 të vitit 2027.