Ballkani ka reaguar ashpër pas ndeshjes së sotme ndaj Malishevës, duke kritikuar rëndë referimin dhe kryeshefin e referimit, Përparim Hasani.

Në reagimin zyrtar, klubi nga Suhareka pretendon se gjatë sezonit të kaluar është dëmtuar në 13 ndeshje direkte nga gjyqtarët, duke theksuar se pikërisht këto vendime i kanë kushtuar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Ballkani kërkon që këto pretendime të shqyrtohen nga ekspertë të pavarur, madje duke deklaruar se është i gatshëm të kërkojë falje publikisht nëse të dhënat e tij nuk dalin të sakta.

Klubi ka kritikuar edhe delegimet e gjyqtarëve, duke thënë se, pavarësisht kërkesave të dërguara sezonin e kaluar që disa arbitra të mos delegoheshin në ndeshjet e tij, të njëjtët gjyqtarë janë deleguar sërish.

Reagimi u ashpërsua edhe më shumë pas ndeshjes me Malishevën. Ballkani pretendon se dy episode të referimit, një në minutën e 52-të dhe një tjetër në fund të takimit, ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjes.

Sipas klubit, në minutën e 52-të Valentin Serebe u rrëzua në zonën e Malishevës pas një ndërhyrjeje që Ballkani e konsideron të mjaftueshme për penallti. Në vend të saj, gjyqtari Alban Shala e ndëshkoi lojtarin me karton të verdhë për simulim.

Ballkani ka vënë në pikëpyetje edhe faktin që nga dhoma e VAR-it, ku ishte Valon Bajgora, nuk pati ndërhyrje për rishikimin e këtij vendimi.

Klubi pretendon gjithashtu se në minutat e fundit të ndeshjes, pas një goditjeje nga këndi, ndaj një lojtari të tij është shkaktuar faull në zonë dhe se pikërisht nga vazhdimi i atij aksioni Malisheva shënoi golin.

“Dhe kështu, këta ‘heronj’ e përfundojnë misionin e tyre, pikërisht ashtu siç duket se ishte paracaktuar para fillimit të ndeshjes”, thuhet në reagimin e Ballkanit.

Megjithatë, klubi nga Suhareka ka bërë të qartë se nuk ka asgjë kundër Malishevës, duke ia uruar pikët e plota dhe duke theksuar se nuk beson që klubi kundërshtar ka pasur ndikim në vendimet e referimit.

Ballkani ka kritikuar ashpër sistemin e referimit në futbollin kosovar, duke thënë se nuk kërkon favore apo pikë të dhuruara, por vetëm trajtim të barabartë.

“Nuk po kërkojmë favore. Nuk po kërkojmë që dikush të na falë pikë. Nuk po kërkojmë të na bëjë askush kampionë, por vetëm drejtësi në referim”, thuhet në reagimin e klubit.

Në fund, Ballkani ka rikujtuar investimet dhe rezultatet e tij në futbollin kosovar dhe paraqitjet në garat evropiane, duke theksuar kontributin e klubit në zhvillimin e futbollistëve që më pas kanë përfaqësuar Kosovën dhe Shqipërinë.

“Prandaj, pas gjithë asaj që kemi investuar, sakrifikuar dhe dhënë për ngritjen e imazhit të futbollit të Kosovës, nuk do të lejojmë që djersa jonë të nëpërkëmbet nga askush”, përfundon reagimi.

Ballkani kërkon që çështja e referimit në futbollin kosovar të rishikohet dhe që vendimet në fushë të jenë të njëjta për të gjitha klubet./GazetaExpress/

REAGIMI I PLOTË I BALLKANIT: