**Afati Kushtetues: Albulena Haxhiu mund të shërbejë si u.d. Presidente deri më 4 Tetor, vendimet e mëtejshme mund të kontestohen**

Prishtinë – Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, mund ta mbajë këtë funksion deri më 4 tetor, sipas Vullnet Bugaqkut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI). Pas kësaj date, sipas tij, mandati i saj gjashtëmujor skadon dhe ajo nuk do të ketë më të drejtë të ushtrojë detyrën e Presidentes.

Bugaqku, duke iu referuar nenit 90, paragrafit 3 të Kushtetutës së Kosovës, theksoi për Ekonomia Online se kjo dispozitë përcakton qartë se posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.

“Në nenin 90, paragrafi 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është shumë e qartë fjalia kur thuhet që posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit nuk mund të ushtrohet më gjatë sesa një periudhë prej gjashtë muajsh,” deklaroi ai.

Sipas interpretimit të Bugaqkut, formulimi i kësaj dispozite kushtetuese nënkupton se periudha maksimale për Kryetarin e Kuvendit që të ushtrojë detyrën e Presidentit, kur posti mbetet vakant ose ka mungesë të përkohshme të Presidentit, është gjashtë muaj. Ai shpjegoi se kjo normë kushtetuese vendos një kufizim të qartë kohor.

Prandaj, Bugaqku vlerësoi se deri më 4 tetor, Albulena Haxhiu mund ta ushtrojë funksionin e Presidentes, por pas kalimit të këtij afati, ajo do të vazhdojë të jetë Kryetare e Kuvendit, por jo edhe ushtruese e detyrës së Presidentes. “Pas kalimit të këtij afati, unë besoj që ajo nuk e ka të drejtën në fjalë; pra, ajo mund të qëndrojë si Kryetare e Kuvendit, por jo edhe ta ketë rolin e ushtrueses së detyrës së Presidentit të shtetit,” theksoi ai.

Lidhur me atë çfarë ndodh nëse ky afat shkelet, Bugaqku tha se Kushtetuta nuk përcakton qartë pasojat. Megjithatë, vendimmarrja e Haxhiut në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes pas skadimit të afatit mund të vihet në pikëpyetje dhe të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse eventualisht qëndron edhe më tutje në atë pozicion Kryetarja e Kuvendit, atëherë vendimmarrja e saj është e kontestueshme në çdo aspekt, sa i përket pajtueshmërisë apo jo me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Qoftë dekrete, çdo vendim, çdo sjellje e saj, e cila konsiderohet si ushtruese e detyrës së Presidentit, mund të nxisë dhe është material i mjaftueshëm për ta kontestuar në Gjykatë Kushtetuese,” përfundoi Bugaqku.