Gjenerali gjerman Carsten Breuer, me një përvojë shërbimi edhe në Kosovë, është zgjedhur si Kryetari i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s, organi më i lartë ushtarak i Aleancës. Në këtë pozicion kyç, ai do të shërbejë si këshilltari kryesor ushtarak i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Zgjedhja e shefit të Mbrojtjes së Gjermanisë u bë nga shefat e mbrojtjes të 32 vendeve anëtare të NATO-s, gjatë një takimi të mbajtur në Kopenhagë.
Gjenerali Breuer do të marrë detyrën në korrik të vitit 2027, për një mandat trevjeçar, duke pasuar admiralin italian Giuseppe Cavo Dragone. Përveç rolit si këshilltar i lartë ushtarak i Sekretarit të Përgjithshëm, detyra e tij përfshin edhe përcjelljen e rekomandimeve të udhëheqësve ushtarakë të vendeve anëtare te drejtuesit politikë të Aleancës.
Ky emërim vjen në një periudhë thelbësore, ku NATO po intensifikon masat e mbrojtjes dhe parandalimit përballë kërcënimeve të mundshme nga Rusia.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, përshëndeti zgjedhjen e gjeneralit Breuer, duke theksuar përvojën e tij të gjerë dhe rolin kyç në ristrukturimin e ushtrisë gjermane.
Breuer e nisi karrierën e tij ushtarake në vitin 1984. Gjatë kësaj periudhe, ai ka kryer trajnime të avancuara si në Gjermani ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, dhe ka shërbyer në misione të rëndësishme të NATO-s në Kosovë dhe Afganistan. Aktualisht, që nga marsi i vitit 2023, ai mban postin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bundeswehr-it (Forcave të Armatosura Gjermane). Më parë, ka drejtuar Komandën Territoriale të Bundeswehr-it dhe ka luajtur një rol qendror si drejtues i shtabit të krizës për pandeminë COVID-19 pranë Kancelarisë Federale gjermane.
