**Risi në zhdoganimin e makinave: Kilometrat tani ndikojnë në vlerësim**

Administrata Doganore Shqiptare ka prezantuar një manual të ri për vlerësimin e automjeteve, me qëllim përcaktimin sa më të saktë dhe të drejtë të vlerës doganore. Ky manual aplikohet për makinat e prodhuara në 10 vitet e fundit, veçanërisht kur nuk mund të zbatohen metodat standarde të vlerësimit sipas Kodit Doganor (nenet 66-69).

Në këto raste, Dogana do t’i referohet çmimeve reale të publikuara online në burime dhe buletine të specializuara, adresat e të cilave janë të përcaktuara në manual.

Elementi më i ri dhe më thelbësor i këtij manuali është se, krahas të dhënave teknike të marra në konsideratë deri më tani, tani do të përfshihet edhe numri i kilometrave të përshkuara nga automjeti deri në momentin e zhdoganimit. Ky element është kyç, pasi ndikon drejtpërdrejt në vlerën reale të mjetit.

Manuali i ri nuk sjell asnjë ndryshim në mënyrën e vlerësimit të automjeteve më të vjetra se 10 vjet.

Qëllimi i hyrjes në fuqi të këtij manuali nuk është rritja e të ardhurave doganore, por sigurimi i një vlerësimi sa më objektiv, të drejtë dhe të bazuar në të dhëna reale. Nëpërmjet këtij ndryshimi, synohet një shpërndarje më e drejtë e detyrimeve për kategori automjetesh të ngjashme (markë, vit prodhimi, cilindratë, lloj karburanti), duke marrë në konsideratë edhe diferencat në kilometrat e përshkruara. Kështu, vlerësimi doganor do të pasqyrojë më saktë karakteristikat dhe gjendjen konkrete të automjetit në momentin e zhdoganimit.