Arrestohen dy shtetas serbë në Jarinjë, u sekuestrohen pesë thika dhe materiale me mbishkrime nacionaliste
Dy shtetas serbë janë arrestuar në pikën kufitare të Jarinjës, pasi gjatë kontrollit të automjetit dhe personave, në posedim të tyre janë gjetur dhe sekuestruar disa sende, përfshirë pesë thika dhe materiale me simbole e mbishkrime nacionaliste.
Policia e Kosovës bëri të ditur se mes sendeve të sekuestruara ishin pesë thika, një vulë serbe, një kartë identiteti e një organizate ku dyshohet se ishte anëtarësuar njëri prej të arrestuarve, dy bluza me mbishkrime nacionaliste, një logo me flamurin e Serbisë, dy pajisje shumëfunksionale dhe një kamerë GoPro.
Ngjarja është konfirmuar edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku theksohet se arrestimet kanë ndodhur më 19 shtator 2026, rreth orës 09:40, në SPK Jarinjë. “Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj serbë, shtetas të Serbisë, pasi gjatë kontrollit tek të njëjtët janë gjetur dhe sekuestruar 5 thika, një vulë serbe dhe një kartë identiteti e një organizate në të cilën ishte i anëtarësuar, dy bluza me mbishkrime nacionaliste, një logo e flamurit të Serbisë, dy pajisje shumëfunksionale dhe një kamerë GO PRO,” citon raporti.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
