Një 34-vjeçar nga Ferizaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për trafikim të lëndëve narkotike, është arrestuar në pikën kufitare të Morinës, Kukës.

Arrestimi i shtetasit me inicialet Y. A. u krye nga Policia Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, gjatë hyrjes së tij në Shqipëri.

Pas verifikimeve me Interpol Tiranën, u konfirmua se Gjykata e Wiesbadenit, Gjermani, kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, po vijon procedurat standarde për ekstradimin e tij.