Cristiano Ronaldo dhe Georgina Rodriguez kanë nënshkruar një marrëveshje paramartesore domethënëse, e cila detajon ndarjen e pasurive dhe pagesat financiare në rast ndarjeje. Kjo marrëveshje vjen përpara se çifti të kurorëzojë lidhjen e tyre në martesë.
Sipas burimeve, çifti ka zgjedhur një “regjim të ndarjes së pasurisë”, që nënkupton se pasuria e krijuar apo blerë individualisht nga secili nuk do të ndahet automatikisht në mënyrë të barabartë. Ndërkohë, pasuritë e regjistruara në emër të të dyve do të ndahen mes tyre.
Pika më e spikatur e marrëveshjes lidhet me shumën që Georgina do të përfitonte në rast ndarjeje. Raportimet e mediave portugeze, të pasqyruara edhe nga “Marca”, bëjnë të ditur se Georgina do të merrte një pagesë mujore prej rreth 85 mijë paundësh.
Kjo marrëveshje, e vendosur thuajse pas lindjes së vajzës së tyre, Alana, ka për qëllim të garantojë sigurinë financiare të Georginës dhe fëmijëve të çiftit.
Një tjetër detaj që ka ngjallur interes lidhet me pronat e paluajtshme. Sipas raportimeve, vila luksoze e Ronaldos në zonën prestigjioze “La Finca” në Madrid, me vlerë rreth 5 milionë paund, është regjistruar në emër të Georginës.
Kështu, përtej jetës luksoze dhe ekspozimit publik, marrëveshja paramartesore duket se ka vendosur në detaje të gjitha aspektet financiare të jetës së çiftit në rast të një ndarjeje të mundshme.
