Hoti kërkon seancë urgjente të Kuvendit dhe angazhim institucional pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar mbledhjen urgjente të Kuvendit të Kosovës për të diskutuar aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë, i shpallur ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një reagim të publikuar të hënën, Hoti theksoi se, pavarësisht protestave që po zhvillohen në Prishtinë pas këtij aktgjykimi, Kuvendi ende nuk është mbledhur për të shprehur një qëndrim institucional të shtetit.

“Duke respektuar plotësisht pavarësinë e sistemit gjyqësor, Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të mbajnë një qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar”, ka shkruar Hoti.

Ai ka propozuar që Kuvendi të miratojë një rezolutë të re, e cila do të përcaktonte angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të shqyrtimit të çështjes në shkallën e dytë.